top of page

Këshilla praktike dhe sekrete për kuzhinën tuaj.

Këshilla praktike dhe sekrete për kuzhinën tuaj.

Gjatë prerjes së supave me vezë, që të mos pritet veza, i shtohet pak lëng supe i ftohur më parë.

Vezët e freskëta kur i vëmë në ujë me kripë bien në fund të enës, ato që nuk janë të freskëta notojnë.

Vezët nuk duhet të ziejnë as në zjarr të fortë as të ngadaltë, por në zjarr mesatar, pasi në zjarr të fortë e bardha forcohet shpejt e verdha mbetet e lëngëzuar, në zjarr të dobët e verdha forcohet ndërsa e bardha mbetet e butë.

Perimet ziejnë dhe kullohen, sepse po të qëndrojnë në lëngun e tyre u keqësohet shija.

Për të ruajtur ngjyrën jeshile te perimet që kanë klorofil, ato zihen në ujë të valuar të bollshëm me kripë dhe me kapak të hapur.

Perimet mund ta ruajnë freskinë po të vihen në vende të freskëta për disa ditë duke i vendosur në qese plastmasi në frigorifer.

Erëzat (majdanozi, kopra, selinoja etj.) ruhen të freskëta për disa ditë duke i vendosur në qese plastmasi.

Po të mbetet gjysmë kokrre qepë e qëruar, që ta ruajë shijen dhe aromën, vendi i prerë lyhet me margarinë.

Puresë së patates qumështi duhet t’i hidhet i nxehtë, pasi kur hidhet i ftohtë pureja merr ngjyrë pak të errët.

Patateve të skuqura u duhet hedhur kripa në mes të skuqjes ose në fund, ndërsa në friturë në fund.

Patatet ziejnë më shpejt kur i hedh gjatë zierjes pak margarinë.

Për të gatuar pure merren patate të mëdha, për skuqje patate mesatare dhe për sallatë patate të vogla, të cilat ziejnë të paqëruara.

Vitaminat te patatja ruhen kur ato zihen të paqëruara.

Në supën e gatshme mos hidhni gjethe dafine sepse keqësohet shija.

Lakra turshi nuk duhet të shpërlahet me ujë të nxehtë, pasi i ikin vlerat ushqimore.

Gjatë zierjes së lakrës, që të mos vijë erë e keqe hidhet një fetë buke e bardhë e lagur me uthull.

Lulelakra nëse ruhet në dritë nxihet shpejt dhe i keqësohet shija.

Erëzat e gjelbra nuk duhet të grihen në makinë dhe të shtypen, pasi u del lëngu, por duhet të grihen me thikë.

Mishi i grirë duhet të shkrihet në ambient të zakonshëm dhe asnjëherë në ujë.



105 views0 comments

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page