Supë peshku.
Shija e mrekullueshme e kësaj supe të thjeshtë peshku, nuk ka të përshkruar. Provojeni!
Supa përgatitet duke përdorur të gjithë peshkun, por mund të përgatitet edhe duke përdorur vetëm kokat e peshkut të madh si trofta, krapi, levreku etj.
Përbërësit:
2 peshq të mëdhenj (ose 6 kokë peshku )
1-2 kokërr qepë
3-4 karota
2 patate
1 lugë miell
vaj ulliri
kripë, piper i zi
limon,
gjethe dafine
Përgatitja:
Në një tenxhere të thellë ziejmë në një litër ujë peshkun me qepën e grirë imët, karotat dhe patatet. Nëse përdorim kokat i ziejmë 20 minuta sa të marrin një valë dhe i heqim, nëse përdorim peshkun pas 20 minuta zierje e heqim nga vala e vendosim në një pjatë dhe e pastrojmë nga halat.
Lëngun e kullojmë me anë të një kullese ndërsa perimet i kalojmë në mikser dhe i bashkojmë përsëri me lëngun. Në një tigan me 4-5 lugë vaj ulliri skuqim miellin dhe e përziejmë me lëngun duke e trazuar mirë që të mos mbeten kokrriza. Bashkojmë dhe peshkun dhe e lemë të ziejë përsëri 10 minuta duke e rregulluar me limon ose me uthull dhe duke kontrolluar trashësinë e lëngut që të jetë në masën e dëshiruar.
Ju bëftë mirë.
Commentaires