Bukë të vogla me miell misri dhe miell gruri.
Buka e përgatitur vetë në shtëpi nuk ka të paguar, dhe ky është një fakt i ditur nga të gjithë.
Të tilla janë edhe bukët e vogla të cilat kërkojnë dy lloje meilli, atë të grurit dhe atë të misrit.
Ndiqni hapat e recetës dhe do të mbushni shtëpinë tuaj me një aromë fantastike.
E ndërsa të afërmit tuaj kënaqen me shijen dhe butësinë e mrekullueshme të kësaj buke, ju do të keni mësuar edhe një tjetër recetë të përkyrer.
Përbërësit
600gr miell gruri
600gr miell misri
30g maja
1 lugë çaji sheqer
1 lugë çaji miell
1 lugë gjelle kripë
160gr vaj
160gr qumësht
Ujë i vakët
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e këtyre bukëve të shijshme ju sugjeroj që të filloni me majanë.
Në një tas të vogël hidhni 30g maja të njomë (ajo ka formën e një kubi) dhe një lugë çaji me sheqer.
Shtypeni lehtë majanë dhe më pas shtoni edhe një lugë çaji miell gruri.
Duke e punuar shtoni një filxhan kafeje me ujë të vakët në mënyrë që majaja të shkrijë.
ju këshilloj që ta përzieni mirë derisa të formoni një masë kremoze.
Ndërkohë në një tas të madh përzieni dy llojet e miellit me kripën.
Në mes hapini me ndihmën e një luge një gropë ku do të hidhni vajin dhe qumështin.
Në fund e ka radhën majaja që përgatitët më parë, e cila tani do të jetë gati për përdorim.
Tani nisni të shtoni pak e nga pak ujë të vakët derisa brumi juaj të lidhet.
Punojeni me duar për 10 minuta në mënyrë që sipërfaqja e tij të jetë e lëmuar.
Mbulojeni tasin dhe lëreni brumin që të pushojë derisa të ketë dyfishuar volumin e tij.
Më pas ju këshilloj që ta kaloni në tavolinën e punës të spërkatur me pak miell dhe ta punoni për 5 minuta.
Ndajeni brumin në 6 pjesë dhe jepuni secilës formën e një kulaçi.
Vendosni një e nga një kulaçët në tavë dhe shtypini lehtë me dorë për t’i dhënë formën e sheshtë.
Mbulojini me një pecetë dhe lërini të pushojnë për 30 minuta.
Më pas futeni tavën në furrë dhe piqeni më 200 gradë derisa bukët të kenë marrë një ngjyrë të artë.

Comentarios